Me datë 29.01.2019, organizata Germin dhe Komuna e Prizrenit nënshkruan memorandum bashkëpunimi për realizimin e projektit të “Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit”. Përmes këtij partneriteti, Germin dhe Komuna e Prizrenit synojnë tërheqjen e investimeve të huaja nga Diaspora në qytetin e Prizrenit, përmirësimin e ambientit e të bërit biznes dhe ndërmarrësisë si dhe lidhjen e bizneseve lokale me bashkëpunëtorë potencial në tregun e jashtëm.
Objektivat nga kjo marrëveshje do të arrihen përmes organizimit të “Forumit të Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit”, analizimit dhe identifikimit të sektorëve kyç të ekonomisë prizrenase, identifikimit dhe trajnimit të ndërmarrësve të rinj, zhvillimit të një platforme për ngritje të fondeve si dhe organizimit të takimeve të formatit B2B në mes të bizneseve lokale dhe partnerëve potencial nga jashtë dhe diaspora.
Për realizmin sa më të mirë të këtyre aktiviteteve, Germin do të bashkëpunojë me forumet ekonomike lokale, organizatat dhe institucionet tjera me qëllim të gjenerimit të të ardhurave si dhe rritjes së punësimit në qytetin e Prizrenit. Ekipi i Germin do të shfrytëzojë të gjitha kapacitetet për avokim dhe rrjetëzim sa më të suksesshëm për të gjitha grupet me interes në këtë projekt.